TURIZMI NË SHQIPËRI, MBI 10.7 MILIONË HYRJE TË TË HUAJVE NË 9 MUAJ.

Shqipëria ka regjistruar mbi 10.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj në nëntë muajt e parë të vitit 2026, me një rritje prej 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari në shtator janë regjistruar saktësisht 10 milionë e 730 mijë e 391 hyrje të të huajve, kundrejt 10 milionë e 228 mijë e 686 hyrjeve në vitin 2025. Në terma absolutë, janë rreth 502 mijë hyrje më shumë.

Në total, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj arritën në 17 milionë e 476 mijë e 873, me një rritje prej 5.3%. Ndërsa hyrjet e shqiptarëve arritën në 6 milionë e 746 mijë e 482, ose 6% më shumë se një vit më parë.

Vetëm gjatë shtatorit, Shqipëria regjistroi 1 milion e 286 mijë e 691 hyrje të shtetasve të huaj, me një rritje prej 2.1% krahasuar me shtatorin e vitit 2025. Megjithatë, ky ritëm është më i ulët se rritja prej 4.9% e nëntëmujorit. Në total, gjatë shtatorit u regjistruan 2 milionë e 24 mijë e 320 hyrje, 3% më shumë se një vit më parë.

Paralelisht, janë rritur edhe lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit. Gjatë janar–shtatorit 2026, daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 6 milionë e 860 mijë e 930, me një rritje prej 4.9%.

Ndërkohë, daljet e shtetasve të huaj arritën në 10 milionë e 643 mijë e 448, ose 4.7% më shumë. Në total, daljet nga Shqipëria arritën në 17 milionë e 504 mijë e 378, me një rritje prej 4.8%.

Vetëm në shtator, daljet e shqiptarëve u rritën me 6.6%, duke arritur në 823 mijë e 874. Në të kundërt, daljet e të huajve ranë me 2.8%, në 1 milion e 317 mijë e 259.

Në total, gjatë muajit shtator u regjistruan 2 milionë e 141 mijë e 133 dalje, me një rritje prej 0.6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033