LUSHNJA, NIS VJELJA E ULLIRIT.

Ka nisur sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullirit në fshatrat e Lushnjës. Një traditë e hershme dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për fermerët e zonës, të cilët tashmë kanë nisur mbledhjen e prodhimit të këtij viti.

Pavarësisht temperaturave të larta gjatë verës dhe mungesës së ujit në disa plantacione në periudhën e zhvillimit të frutit, shirat e fundit kanë ndikuar në mbushjen e kokrrave të ullirit, duke u dhënë fermerëve sinjalin për nisjen e vjeljes.

Bashkia e Lushnjës dallohet për plantacionet e shumta me ullinj, jo vetëm në zonat kodrinore, por edhe në ultësirën fushore, ku vitet e fundit janë shtuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë.

Për fermerët, një nga treguesit kryesorë të këtij sezoni mbetet sasia e prodhimit për çdo kuintal të vjelë, ndërsa rezultatet përfundimtare do të përcaktohen nga rendimenti dhe cilësia e frutit.

Ndërkohë, edhe fabrikat e përpunimit të ullirit në zonën e Lushnjës janë bërë gati për sezonin e ri. Disa prej tyre kanë nisur aktivitetin, duke pritur prodhimin e fermerëve dhe duke e kthyer vjeljen e ullirit në një hallkë të rëndësishme të ekonomisë vendase.

Përtej traditës, ulliri vijon të përfaqësojë një mundësi zhvillimi për bujqësinë e zonës, ndërsa fermerët shpresojnë për një sezon të mbarë, me prodhim të bollshëm dhe të ardhura më të mira.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033