Rregulla të reja për fermat blegtorale dhe stabilimentet që mbajnë kafshë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar në Fletoren Zyrtare një rregullore të re, e cila përcakton kriteret për regjistrimin, miratimin dhe funksionimin e këtyre strukturave, si dhe rregullat për identifikimin dhe gjurmueshmërinë e kafshëve.
Dispozitat përfshijnë fermat që mbajnë gjedhë, dele, dhi, derra dhe kuaj, stabilimentet e shpendëve, qendrat e grumbullimit, inkubatorët për çeljen e vezëve, si dhe strukturat e karantinës dhe transportuesit e kafshëve.
Sipas rregullores, kërkesat do të ndryshojnë në varësi të llojit të aktivitetit dhe kategorisë së kafshëve. Për disa stabilimente do të kërkohet miratim nga autoritetet kompetente, duke përmbushur kushtet për ambientet, pajisjet, izolimin, biosigurinë dhe mbikëqyrjen veterinare.
Një tjetër element i rëndësishëm është detyrimi për mbajtjen e të dhënave mbi identifikimin e kafshëve, origjinën dhe destinacionin e tyre. Përmes numrave unikë të regjistrimit dhe mjeteve të identifikimit, synohet që lëvizja e kafshëve të gjurmohet nga ferma e origjinës deri në destinacionin përfundimtar.
Masat e reja synojnë forcimin e kontrollit veterinar, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe rritjen e sigurisë në sektorin blegtoral.
Sipas dokumentit, urdhri do të nisë të zbatohet më 11 korrik 2027, duke u dhënë kohë operatorëve dhe institucioneve përgjegjëse për t’u përgatitur për përmbushjen e kërkesave të reja.