Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon përshpejtim të inflacionit në Shqipëri gjatë vitit 2026, por vendi pritet të vijojë të ketë një nga nivelet më të ulëta të rritjes së çmimeve në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit të tetorit 2026, inflacioni mesatar vjetor në Shqipëri pritet të arrijë në 3.2% në vitin 2026, nga 2.2% në vitin 2025, me një rritje prej 1 pikë përqindjeje. Për vitin 2027, inflacioni parashikohet sërish në 3.2%, ndërsa në vitin 2028 pritet të zbresë në 3%.
Në rajon, për vitin 2026, Serbia parashikohet të ketë inflacion 3.1%, Mali i Zi 3.5%, Maqedonia e Veriut 4%, Bosnja-Hercegovina 5% dhe Kosova 6.8%. Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës arrin në 3.6 pikë përqindjeje.
Për vitin 2027, Shqipëria pritet të ketë inflacionin më të ulët mes 6 ekonomive të Ballkanit Perëndimor, me 3.2%. Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina parashikohen në 3.3%, Serbia në 4.2%, ndërsa Kosova dhe Maqedonia e Veriut në 4.5%. Mesatarja për vendet e Europës Juglindore jashtë Bashkimit Europian parashikohet në 3.8% për vitin 2026 dhe 3.9% për vitin 2027.
Ndërkohë, FMN ka ulur parashikimin për inflacionin e vitit 2026 me 0.2 pikë përqindjeje, nga 3.4% në prill në 3.2% në tetor. Për vitin 2027, parashikimi është rritur nga 3.1% në 3.2%, ndërsa ai për vitin 2028 mbetet në 3%
Raporti evidenton gjithashtu se, nga 27 shkurti deri më 1 tetor 2026, Shqipëria nuk ka ndryshuar normën bazë të interesit. FMN paralajmëron se çmimet e larta të energjisë dhe presionet e brendshme, përfshirë rritjen e pagave, mund ta vështirësojnë frenimin e inflacionit.
Për rrjedhojë, çmimet në Shqipëri pritet të normalizohen gradualisht, ndërsa inflacioni të mbetet më i moderuar se në shumicën e vendeve të rajonit.