13 mijë doza vaksine kundër gripit sezonal kanë mbërritur në Lushnjë, ndërsa mbi 7 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani. Fushata e vaksinimit ka nisur në fillim të tetorit, me synimin për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara nga virozat e stinës dhe gripi gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit.
Prej datës 5 tetor, vaksina trivalente kundër gripit është vënë në dispozicion të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lushnjë. Dozat janë shpërndarë në qendrat shëndetësore dhe ambulatore të bashkive Lushnjë dhe Divjakë, duke respektuar kushtet e transportit dhe ruajtjes në temperaturë të kontrolluar, sipas protokolleve përkatëse.
Procesi i vaksinimit po vijon sipas udhëzimeve të shërbimit shëndetësor, me përparësi për të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët dhe rrezikun e infeksioneve sezonale.
Për të mësuar më shumë mbi kategoritë përfituese dhe rëndësinë e vaksinimit, ne iu drejtuam Adela Agollit, infermiere dhe specialiste pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lushnjë.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që bëjnë pjesë në kategoritë e rekomanduara të kontaktojnë qendrat shëndetësore për t’u informuar dhe vaksinuar në kohë, duke ulur rrezikun e komplikacioneve nga gripi sezonal.