Bujqësia, një sfidë për fermerët shqiptarë.

Prej më shumë se tre dekadash, fermerët shqiptarë përballen me problematika të shumta, të cilat vijojnë të mbeten një shqetësim i përditshëm për ta.

Pavarësisht punës së palodhur, investimeve dhe sakrificave, mbështetja institucionale shpesh nuk arrin të përmbushë nevojat e prodhuesve vendas. Kostoja e lartë e punimit të tokës, mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e fermave shqiptare.

Në shumë raste, prodhimet mbeten të pashitura në fusha, ndërsa fermerët detyrohen t’i hedhin ato në rrugë si shenjë proteste ndaj një realiteti që përsëritet vit pas viti.

Shqetësimet nuk mungojnë as në sektorin e blegtorisë. Çmimi i ulët i qumështit për litër dhe kostot e larta të ushqimit të bagëtive kanë nxitur protesta të fermerëve, të cilët kërkojnë kushte më të drejta dhe mbështetje konkrete nga shteti.

Një tjetër problem mbetet ndarja e fitimit në zinxhirin e tregtimit, ku shpesh përfitojnë më shumë grumbulluesit dhe tregtarët, ndërsa prodhuesi, ai që investon kohën, mundin dhe paratë, mbetet me fitime minimale, që shpesh nuk mbulojnë as shpenzimet.

Pas tri dekadash, pyetja mbetet e njëjtë: kur do të ketë një politikë të qëndrueshme që vendos fermerin shqiptar në qendër të vëmendjes?

Sepse pa fermerë të mbështetur, nuk ka bujqësi të zhvilluar dhe as një të ardhme të sigurt për prodhimin vendas.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033