Në zemër të Myzeqesë, pranë qytetit të Lushnjës, shtrihet një prej veprave më të rëndësishme ujore të ndërtuara në këtë zonë: Rezervuari i Thanës.
I ndërtuar në vitet 1959–1962, ky ujëmbledhës u projektua si një vepër madhore për ujitjen e tokave bujqësore. Rezervuari grumbullon rreth 65 milionë metra kub ujë dhe përpunon deri në 132 milionë metra kub, të marra nga lumi Devoll përmes digës së Vlashukut.
Diga, me rreth 11 metra lartësi dhe 3.5 kilometra gjatësi, krijon një sistem ujitës që mbulon rreth 35 mijë e 100 hektarë tokë bujqësore. Rrjeti kryesor i kanaleve ujitëse shtrihet në një gjatësi prej rreth 37 kilometrash, duke shpërndarë ujin në fushat e Myzeqesë.
Sot, Rezervuari i Thanës mbetet një nga rezervuarët më të rëndësishëm për bujqësinë shqiptare, me ujë që përcillet përmes disa degëzimeve drejt tokave bujqësore.
Por përtej funksionit të tij ekonomik, ky liqen artificial është shndërruar edhe në një hapësirë me vlera natyrore. Ajri i pastër, peizazhi dhe afërsia me Lushnjën krijojnë mundësi për shëtitje dhe piknik për të apasionuarit pas natyrës dhe ujit.
Në ujërat e tij gjendet edhe krapi, ndërsa zona shërben si habitat për shpendë shtegtarë, duke i shtuar rezervuarit një tjetër dimension, atë të biodiversitetit dhe potencialit turistik.
I shtrirë në territorin ku takohen bashkitë Lushnjë, Kuçovë dhe Belsh, Rezervuari i Thanës është sot dëshmi e një vepre të ndërtuar nga dora e njeriut, e cila prej më shumë se gjashtë dekadash vazhdon t’i japë jetë fushave të Myzeqesë.