Vijon pastrimi i rezervuarit të Kasharit në Lushnje, pesë ditë pas ngordhjes masive të peshqve.

Vazhdon sistemimi dhe pastrimi i rezervuarit të Kasharit në Lushnje, pesë ditë pas situatës së rëndë të krijuar nga ngordhja masive e peshqve.

Tonelata peshqish të ngordhur mbuluan sipërfaqen e rezervuarit, duke e kthyer situatën në një ndërhyrje emergjente. Për pastrimin, dezinfektimin dhe largimin e peshkut të ngordhur u angazhuan forcat e ushtrisë, në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Lushnje.

Peshqit e mbledhur u groposën sipas kushteve dhe kërkesave veterinare, ndërsa edhe pas disa ditësh një pjesë e tyre vijon të mbetet në sipërfaqen e rezervuarit. Era e rëndë që përhapet në zonë është ende e pranishme, veçanërisht pranë pellgut ujëmbledhës.

Megjithatë, pas ndërhyrjeve të kryera, situata tashmë duket se po shkon drejt normalizimit. Punimet vijojnë me mjete të rënda, ndërsa po punohet për sistemimin e rezervuarit dhe rikthimin e tij në kushte normale, sipas procedurave të përcaktuara për ndërhyrje të tilla.

Ndërkohë, sipas një informacioni të bërë publik në mënyrë konfidenciale, Bashkia Lushnje ka bërë kallëzim pranë institucioneve kompetente, duke kërkuar hetimin e kompanisë përgjegjëse dhe të çdo individi që mund të ketë shkelur ligjin.

Tashmë pritet që institucionet të përcaktojnë përgjegjësitë dhe shkaqet që çuan në këtë situatë të rëndë, duke i dhënë përgjigje një ngjarjeje që jo vetëm shkaktoi dëme në rezervuar, por krijoi edhe shqetësim për banorët e zonës.

Institucionet, sipas Bashkisë, duhet të funksionojnë mbi bazën e ligjit, përgjegjësisë dhe provave konkrete, dhe jo mbi fjalët apo aludimet.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033