Kuçova është gati të mirëpresë një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar të artit dhe kinematografisë.
Për gjashtë ditë me radhë, nga data 13 deri më 18 tetor, vëmendja do të përqendrohet në qytetin e Kuçovës, ku do të zhvillohet festivali ndërkombëtar i kinematografisë.
Pjesëmarrës në këtë event do të jenë artistë, kineastë dhe regjisorë nga rreth 40 vende të botës, duke e kthyer Kuçovën në një pikë takimi për emra të artit kinematografik nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Ky festival vjen për herë të parë në Shqipëri në qytetin e njohur për historinë dhe industrinë e naftës, ndërsa synimi është që Kuçova të ndërtojë një identitet të ri kulturor dhe të vendoset në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare.
Përtej dimensionit artistik, organizatorët e shohin këtë aktivitet edhe si një mundësi për promovimin e qytetit, zhvillimin e turizmit dhe ndikimin në ekonominë lokale.
Sipas drejtuesve vendorë, një aktivitet i këtyre përmasave do t’i japë Kuçovës një tjetër mundësi për t’u njohur përtej historisë së saj industriale dhe për të promovuar potencialet e saj kulturore e turistike.