Fermerët e Divjakës vijojnë të sjellin në treg prodhimet e tyre, jo vetëm për konsumatorët vendas, por edhe për tregjet e huaja.
Një prej tyre është fermeri Romiri, nga fshati Mizë i Divjakës, i cili prej disa vitesh merret me kultivimin e perimeve në sera. Aktualisht, ai ka rreth 5 dynym sera të mbjella me specin e varietetit “Barbu”.
Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të tij largohet nga Shqipëria për t’u tregtuar në vendet e rajonit, si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Por pas një prodhimi të suksesshëm fshihet edhe një tjetër sfidë: fuqia punëtore. Çdo ditë, nga mbjellja dhe mirëmbajtja e bimëve, deri te vjelja dhe përgatitja për treg, kërkohet punë intensive dhe angazhim i vazhdueshëm.
Fermerët thonë se kërkesa për prodhimet e tyre është e kënaqshme, por mungesa e punëtorëve mbetet një nga vështirësitë kryesore për sektorin.
Në serrat e Divjakës, puna nis herët dhe vazhdon çdo ditë, ndërsa synimi është që prodhimi vendas të zërë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregjet rajonale dhe europiane.
Për fermerin Romiri, speci “Barbu” nuk është vetëm një kulturë bujqësore, por një produkt që tashmë po udhëton përtej kufijve të Shqipërisë.