Zbardhet skema e garancisë sovrane prej 5 miliardë lekësh, e cila synon të lehtësojë aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për fermerët.
Skema është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe më 10 shtator ka marrë autorizimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, përmes vendimit nr. 134, i cili autorizon “ex-post” skemën e miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave.
Sipas vendimit, shteti do të garantojë një pjesë të kredive që do të jepen nga institucionet financiare pjesëmarrëse. Financimi synon investimet prodhuese, modernizimin teknologjik, transformimin digjital, rritjen e produktivitetit dhe eksporteve, si dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Përfitues mund të jenë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit ku ushtrojnë aktivitetin, si dhe fermerët e regjistruar dhe të pajisur me NIPT fermeri. Për të përfituar nga skema, subjektet nuk duhet të kenë detyrime të papaguara ndaj shtetit apo detyrime të prapambetura nga skemat e mëparshme të garancisë shtetërore, ndërsa duhet të plotësojnë edhe kriteret e kreditimit të bankave pjesëmarrëse.
Një nga elementet kryesore është niveli i mbulimit të rrezikut. Garancia sovrane mund të mbulojë deri në 70% të principalit të kredisë. Në garanci nuk përfshihen interesat, kamatëvonesat, penalitetet apo detyrime të tjera monetare.
Shuma e kredisë do të përcaktohet sipas kërkesës së biznesit dhe vlerësimit të bankës, por totali i huave të garantuara për një huamarrës nuk mund të kalojë 200 milionë lekë. Afati maksimal i financimit është 10 vjet.
Kushtet e financimit parashikojnë gjithashtu që norma e interesit të mos jetë më e lartë se 2%, ndërsa tarifat që i ngarkohen huamarrësit nuk mund të tejkalojnë në total 0.5% të vlerës së huas. Kredia duhet të ketë një plan të përcaktuar shlyerjeje dhe nuk mund të jepet në formën e një linje krediti.
Skema do të jetë në fuqi deri më 20 dhjetor 2027. Bizneset dhe fermerët mund të aplikojnë për mbështetje deri më 20 nëntor 2027, ndërsa disbursimi i kredive duhet të përfundojë jo më vonë se 20 dhjetor 2027.
Ndërkohë, bankat pjesëmarrëse duhet të llogarisin paraprakisht Ekuivalentin Bruto të Grantit për çdo garanci individuale dhe ta raportojnë pranë Komisionit. Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera duhet të raportojë deri më 31 mars të çdo viti mbi ecurinë e skemës, numrin e përfituesve, shpërndarjen sipas sektorëve dhe statusin e kredive të garantuara.
Në total, një fond garancie prej 5 miliardë lekësh, me mbulim shtetëror deri në 70%, kredi deri në 200 milionë lekë dhe afat financimi deri në 10 vjet.