Prej më shumë se një dekade, rruga kryesore që përshkon fshatin Krye-Kuq, në Njësinë Administrative Remas të Bashkisë Divjakë, vijon të jetë një shqetësim i përditshëm për banorët.
Premtime dhe ndërhyrje të pjesshme ka pasur ndër vite, por rruga kryesore e fshatit ende nuk ka marrë zgjidhjen e shumëpritur.
Prej disa muajsh kanë nisur punime në zonë. Disa segmente të rrugëve të brendshme janë shtruar, por aksi kryesor vijon të mbetet me gropa, baltë dhe dëmtime të shumta.
Pas reshjeve të fundit, situata është rënduar edhe më tej. Rruga është mbushur me ujë dhe baltë, ndërsa banorët dhe automjetet detyrohen të lëvizin në kushte të vështira.
Problemi bëhet edhe më shqetësues për fëmijët e fshatit, të cilët e përshkojnë këtë rrugë për të shkuar në shkollë dhe për t’u kthyer në banesat e tyre, duke kaluar çdo ditë mes baltës, gropave dhe ujit.
Banorët nuk flasin vetëm për rrugën. Ata ngrenë shqetësimin edhe për mungesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike. Sipas tyre, mbetjet dhe papastërtitë janë një tjetër problem që kërkon ndërhyrje nga strukturat e Bashkisë Divjakë dhe shërbimi i pastrimit.