Shisnin kokainë me motorin e shpërndarjes së ushqimeve, dy të arrestuar në Lushnje

Një operacion antidrogë i koduar “Motoristi” është finalizuar nga Policia e Fierit pas disa muajsh hetime, duke çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për shitje të kokainës në Lushnjë.

Në pranga kanë rënë Eduart Sharka, 31 vjeç, dhe Skerdilajd Gjoni, 39 vjeç. Sipas Policisë, Sharka dyshohet se shpërndante doza kokaine në qytet duke përdorur motomjetin me të cilin punonte për shpërndarjen e porosive të ushqimit.

Gjatë kontrolleve në banesa, efektivët sekuestruan rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, një grirëse bimësh narkotike dhe gjashtë telefona celularë.

Në banesën e 31-vjeçarit u gjetën 318 gramë kokainë e dyshuar, peshorja elektronike, municion, grirësja dhe tre celularë. Ndërsa në banesën e 39-vjeçarit u sekuestrua një sasi tjetër e lëndës së dyshuar narkotike dhe tre celularë.

Hetimet u kryen nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033