90% e mbetjeve në bregdetin shqiptar janë plastikë. Buna dhe Drini, ndër burimet kryesore të ndotjes së Adriatikut.

Plastika përbën rreth 90% të mbetjeve detare përgjatë bregdetit shqiptar, ndërsa lumenjtë Buna dhe Drini identifikohen si burime të rëndësishme të prurjeve të këtyre mbetjeve drejt Adriatikut.

Të dhënat janë pjesë e monitorimit të zhvilluar në kuadër të projektit TETHYS4ADRION, të nisur në fund të vitit 2024, për të monitoruar ndotjen plastike që transportohet nga lumenjtë drejt Adriatikut dhe Jonit.

Rrjeti i monitorimit përfshin 5 pika strategjike, mes tyre Buna/Bojana në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe Neretva në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Raporti e lidh ndotjen detare me mangësitë në menaxhimin e mbetjeve: infrastruktura e pamjaftueshme, depozitimi i pakontrolluar, hedhja e paligjshme, ndotja nga qytetarët dhe standardet e dobëta të landfilleve.

Në nivel rajonal, objektivi është ulja me 80% deri në vitin 2028 e disponueshmërisë së produkteve plastike njëpërdorimëshe më ndotëse. Ndërsa deri në vitin 2030, synohet që të gjitha ambalazhet plastike të përmbajnë të paktën 30% material të ricikluar.

Në Shqipëri, raporti vlerëson pozitivisht projektin pilot të ndarjes së mbetjeve në burim në Berat, të përfunduar në tetor 2025. Përmes tij u devijuan drejt riciklimit mbi 120 tonë letër dhe 8.6 tonë plastikë.

Megjithatë, raporti citon Komisionin Evropian se nevojiten masa urgjente kundër hedhjes së mbetjeve, ndërsa ndalimi i plastikës njëpërdorimëshe ende nuk ishte zbatuar.

Sfida mbetet ndalimi i mbetjeve që në burim, përpara se ato të përfundojnë në lumenj dhe më pas në Detin Adriatik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033