Zjarri në kodrat e Apolonisë merr përmasa të mëdha, i drejtohet zonave të banuara
Zjarri që ka përfshirë kodrat pranë Apolonisë ka marrë përmasa të mëdha, duke prekur edhe një pjesë të territorit të parkut arkeologjik, në pjesën lindore të tij.
Flakët që përfshinë territorin e parkut janë neutralizuar falë ndërhyrjes së punonjësve të parkut dhe forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e mëtejshme në zonën e monumenteve.
Ndërkohë, situata mbetet kritike jashtë territorit të parkut. Të favorizuara nga era e fortë, flakët po përhapen me shpejtësi, duke djegur qindra rrënjë ullinj dhe sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi. Kjo zonë megjithëse jashtë murit rrethues është e njohur si Zona B e vendbanimit antik ku gjenden rrënoja monumentesh dhe banesash antike.
Zjarri po avancon në drejtim të fshatit Havaleas.
Forcar zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të shmangur një përhapje të mëtejshme të flakëve. Nuk ka ende ndërhyrje nga ajri. Vatra u shfaq rreth orës 15:00 në fshatin Pojan kur zjarrfikësit raportuan se po digjeshin kallamishte në anë të kanalit kullues.