Shqipëria po përjeton një fluks gjithnjë e më të madh turistësh, por muajt e nxehtë të verës nxjerrin në pah edhe sfidën e madhe të akomodimit.
Korriku dhe gushti janë dy muajt kur turizmi shqiptar përballet me provën e vërtetë. Dhe shifrat e INSTAT flasin qartë.
Në korrik 2025, strukturat akomoduese pritën mbi 708 mijë vizitorë, rreth 34.6 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërsa netët e kaluara në këto struktura u rritën me 33.5 për qind. Vetëm në zonat bregdetare, numri i vizitorëve jo-rezidentë u rrit me 50.3 për qind.
Por vala e turistëve u bë edhe më e fortë në gusht.
Mbi 878 mijë vizitorë u akomoduan në struktura turistike, një rritje prej 35.1 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2024. Netët e qëndrimit u rritën me 33.3 për qind, ndërsa vetëm në bregdet vizitorët e huaj u shtuan me 47.8 për qind.
Edhe shfrytëzimi i hoteleve tregon presionin e sezonit. Në korrik, zënia e dhomave arriti në 52.9 për qind, ndërsa në gusht në 61.5 për qind.
Shifrat tregojnë rritjen e kërkesës. Por sfida mbetet: a po rritet oferta e akomodimit me të njëjtin ritëm?
Sepse turizmi nuk është vetëm numër turistësh. Është dhomë, shërbim, standard, çmim dhe mbi të gjitha, përvoja që turisti merr me vete.
Nëse Shqipëria synon të jetë destinacion gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në dy muajt e verës, investimi në kapacitetet akomoduese dhe cilësinë e shërbimit mbetet një nga sfidat kryesore të turizmit.