Me fillimin e vitit të ri shkollor, Qendra “Epoka e Re” zhvilloi sot në Divjakë një takim të posaçëm me fokus sigurinë në shkolla, parandalimin e dhunës dhe reduktimin e rrezikut të përfshirjes së të rinjve në sjellje të paligjshme.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Skuadra e Sigurisë Publike 2 – Partner për një komunitet të sigurt”, pjesë e Skemës së Granteve të Programit SCPA, i cili po zbatohet nga Qendra “Epoka e Re” që prej marsit 2025, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe institucionet vendore.
Në takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Divjakë, z. Josif Gorrea, Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Fier, z. Arben Velo, Shefi i Komisariatit të Policisë Divjakë, z. Ledjo Lushka, si dhe përfaqësues të Policisë Bashkiake Divjakë, ZVAP Divjakë, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, drejtues të shkollave, Shërbimit të Provës, Ndihmës Juridike Falas dhe Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Diskutimet u përqendruan te masat që mund të ndërmerren për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave, identifikimi dhe referimi në kohë i rasteve problematike, parandalimi i dhunës dhe sjelljeve të rrezikshme, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes shkollës, policisë, familjes dhe komunitetit.
Takimi i sotëm është pjesë e një pune të vazhdueshme që “Epoka e Re”, së bashku me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ka zhvilluar përgjatë një viti në shkolla dhe komunitete të Qarkut Fier. Përmes forumeve të hapura, takimeve me nxënës, prindër dhe drejtues shkollash, si dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, projekti ka synuar të afrojë policinë me komunitetin, të rrisë njohuritë e të rinjve mbi pasojat e veprimeve të paligjshme dhe të promovojë raportimin, parandalimin dhe zgjidhjen në kohë të situatave problematike.
Në përfundim të takimit, u ndanë rekomandime konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për një përfshirje më aktive të familjes, shkollës dhe komunitetit në krijimin e mjediseve më të sigurta për fëmijët dhe të rinjtë.