Teatri i Operës në krizë: Dirigjenti Edmond Doko zbulon problemet e thella në institucion

Lirimi nga detyra i drejtoreshës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), Abigeila Voshtina, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka rikthyer vëmendjen te problemet e përhershme të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.

Artistët, mes tyre dirigjenti Edmond Doko, një figurë me mbi 25 vite përvojë në këtë skenë, kërkojnë që Ministria e Kulturës të përqendrohet në zgjidhjen e mangësive themelore të TKOB.

Doko ka theksuar se trupa artistike e Teatrit të Operës është e cunguar, me një orkestër prej vetëm 47 vetash, e cila është më e vogla në Ballkan. “Orkestra më e vogël pas nesh është ajo e Mariborit me 62 anëtarë. Kjo nuk është një organikë për një teatër kombëtar, por për një estradë të madhe,” – tha Doko, duke nënvizuar problemet me strukturën organizative dhe buxhetin e limituar.

Ai ka bërë thirrje për debate të vërteta profesionale mbi këto çështje. Sipas tij, buxheti aktual i TKOB është tepër i ulët për një institucion kombëtar. “Në botë, opera ka buxhete shumë më të larta. Në disa raste, një shfaqje e vetme jashtë vendit kushton mbi 1 milion euro, ndërsa fondi vjetor i TKOB është më pak se 200 mijë euro,” – deklaroi ai.

Përveç problematikës së buxhetit dhe organigramës, Doko thekson edhe mungesën e theksuar të dirigjentëve. Ai tregon se në 25 vite ishte i vetmi dirigjent i operës, dhe pasi u largua nga kjo detyrë, institucioni detyrohet të angazhojë dirigjentë nga jashtë. “Ku është përgjegjësia e shkollave tona? Si ka mundësi që nuk kemi nxjerrë as edhe një asistent dirigjent pas 30 viteve punë?” – pyet ai.

Një tjetër problem madhor, sipas Dokos, është mungesa e një pozicioni zyrtar të drejtorit muzikor në strukturën e TKOB. Në shumë vende të botës, ky rol është standard dhe ndihmon në garantimin e një niveli të lartë profesional. Në mungesë të këtij pozicioni, drejtuesit janë shpesh të detyruar të marrin vendime në mënyrë të paorganizuar dhe jo gjithmonë në përputhje me standardet profesionale.

Ligji aktual për TKOB gjithashtu përmban nonsens dhe elemente të vjetruara nga e kaluara, vëren Doko. Ai sjell si shembull faktin që drejtori zgjedh vetë bordin që duhet ta mbikëqyrë atë, një praktikë që bie ndesh me modelet moderne të menaxhimit artistik. Gjithashtu, shumë pozicione kyçe si përgjegjësit e trupave artistike nuk ekzistojnë në organigramë dhe mbulohen në mënyrë vullnetare nga vetë artistët.

Doko propozon që TKOB të marrë modele të gatshme nga vendet e tjera, si modeli franko-gjerman, italian ose anglez, për të reformuar funksionimin e tij. Këto modele ofrojnë një strukturë të qartë dhe funksionale, duke përfshirë agjenci artistike që mbulojnë marrëdhëniet me këngëtarët dhe artistët, në vend që të jenë drejtorët ata që menaxhojnë këto marrëveshje.

Megjithatë, ai pranon se ka pasur përmirësime në disa fusha, si restaurimi i infrastrukturës së teatrit dhe rritja e pagave për punonjësit. Por këto hapa nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet thelbësore që rrezikojnë të minojnë rëndësinë dhe prestigjin e TKOB si institucion kombëtar.

Artistët dhe ekspertët shpresojnë që Ministria e Kulturës të adresojë këto çështje në mënyrë urgjente, duke i dhënë TKOB një vizion dhe strategji të re, që të jetë në lartësinë e misionit të tij për promovimin e artit operistik dhe baletit në Shqipëri dhe jashtë saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera