Pyjet dhe kullotat mbulojnë 60.2% të territorit të Shqipërisë. Në 2025 fondi mbeti i pandryshuar, ndërsa zonat e mbrojtura u zgjeruan.
Më shumë se gjysma e territorit të Shqipërisë vijon të jetë e mbuluar nga pyjet dhe kullotat. Në vitin 2025, fondi pyjor dhe kullosor arriti në rreth 1.73 milionë hektarë, ose 60.2% të sipërfaqes së vendit, duke mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2024.
Shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë se pjesën më të madhe të këtij fondi e zënë pyjet. Ato shtrihen në rreth 1.15 milionë hektarë, ose 66.2%. Kullotat dhe livadhet zënë rreth 449 mijë hektarë, ose 25.9%, ndërsa 136 mijë hektarë, ose 7.9%, janë sipërfaqe me bimësi pyjore dhe joproduktive.
Në fakt, ndryshimet e fondit pyjor dhe kullosor kanë qenë minimale. Në vitin 2023 ai ishte rreth 1.733 milionë hektarë, në 2024 zbriti në 1.732 milionë hektarë, ndërsa gjatë 2025-s mbeti në të njëjtin nivel.
Edhe sipërfaqja e pyjeve pësoi vetëm një ndryshim të lehtë: nga 1.147 milionë hektarë në 2023, në 1.146 milionë hektarë në 2024, pa ndryshime të mëtejshme gjatë vitit të kaluar.
Por krahas qëndrueshmërisë së sipërfaqes pyjore, një tjetër tregues vjen në rritje: zonat e mbrojtura.
Në fund të vitit 2025, Shqipëria numëronte 777 zona të mbrojtura, me një sipërfaqe totale prej 625.551 hektarësh. Kjo sipërfaqe përfaqëson 21.7% të territorit të Shqipërisë dhe 36.1% të fondit pyjor dhe kullosor.
Në krye janë 12 Parqet Kombëtare, që zënë rreth 314 mijë hektarë, ose 50.18% të të gjithë sipërfaqes së mbrojtur.
Rritje ka pasur edhe te Rezervatet Natyrore të Menaxhuara dhe Parqet Natyrore. Këto përfshijnë 28 zona, me një sipërfaqe prej 217.815 hektarësh, rreth 430 hektarë më shumë se në vitin 2024.
Ndërkohë, Peizazhet e Mbrojtura u zgjeruan nga 81.917 në 82.427 hektarë, një rritje prej rreth 510 hektarësh.
Në vend numërohen gjithashtu 724 monumente natyrore, me një sipërfaqe prej 85.5 hektarësh, ndërsa 11.300 hektarë klasifikohen si Zona të Burimeve të Menaxhuara.
Një panoramë që tregon se ndërsa sipërfaqja e fondit pyjor dhe kullosor mbetet e qëndrueshme, hapësirat që gëzojnë status mbrojtjeje po zgjerohen.