Gërmenji dhe Straveci nën mbeturina! Neglizhenca e Josif Gorresë dhe Drejtorisë së Pastrimit lë banorët mes papastërtisë.
Prej ditësh, koshat e mbeturinave përgjatë aksit Triurat–Stravec–Gërmenj, në territorin e Bashkisë Divjakë, janë mbushur përtej kapaciteteve.
Mbeturinat kanë dalë nga koshat dhe kanë përfunduar në asfalt, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët dhe kalimtarët.
Në këto temperatura të larta, era e rëndë e mbetjeve të grumbulluara e bën edhe më të vështirë jetën e përditshme të banorëve.
Pamjet e marra tregojnë qartë situatën në tre fshatrat dhe përgjatë aksit kryesor që lidh zonën me Divjakën.
Banorët kanë treguar qytetari, duke i vendosur mbeturinat në thasë dhe qese plastike, por mungesa e grumbullimit në kohë ka bërë që ato të tejmbushin kontenierët.
Në fokus të kësaj situate është përgjegjësia e drejtimit të Bashkisë Divjakë, kryebashkiakut Josif Gorrea dhe Drejtorisë së Pastrimit, të cilët, sipas banorëve, nuk kanë ndërhyrë në kohë për zgjidhjen e problemit.
Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi organizimin e shërbimit të pastrimit dhe përgjegjësinë institucionale ndaj qytetarëve.
Banorët kërkojnë një shërbim normal dhe një mjedis të pastër për të jetuar.
Mbeturinat shtohen, era rëndohet, ndërsa përgjigjja nga Bashkia dhe Drejtoria e Pastrimit ende mungon.