Atentati i përgjakshëm në Athinë: Dy shqiptarë të sulmuar me armë zjarri

Pamje tronditëse kanë dalë nga vendngjarja ku dy shqiptarë u sulmuan me armë zjarri në një atentat të rëndë në Athinë.

Viktima, Irakli Davella, mbeti i vrarë me një plumb në kokë, ndërsa bashkëkombësi i tij, Edi Lolo, u plagos dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Fotot e publikuara nga mediat greke tregojnë momentet e pas atentatit. Trupi i Davellës shihet i shtrirë pranë automjetit të tij, ndërsa Lolo transportohet nga ambulanca për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas burimeve nga, autorët e sulmit ndodheshin brenda një automjeti dhe qëlluan nga brenda tij, duke ndjekur nga afër dy shqiptarët para se të kryenin goditjen fatale. Policia greke ka arritur në përfundimin se sulmi ishte i planifikuar me kujdes.

Irakli Davella ishte pronar i një lokali në zonën e Peristerit dhe sipas raportimeve, kishte lidhje me grupet mafioze greke, të cilat prej kohësh janë në shënjestër të autoriteteve. Përveçse menaxhonte lokalin, Davella gjatë muajve të verës jepte makina me qira në ishujt grekë.

Ndërsa i plagosuri Edi Lolo, kishte mbërritur nga Dubai vetëm pak ditë më parë. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ardhja e tij në Greqi lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale që dyshohet të jenë pas këtij atentati.

Një detaj i rëndësishëm nga hetimet është se automjeti i përdorur nga autorët ishte i vjedhur, duke konfirmuar se krimi ishte planifikuar paraprakisht. Skenari kryesor i policisë lidhet me larjen e hesapeve, një fenomen i njohur në qarqet kriminale të Greqisë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe shqiptarët që jetojnë në Athinë. Policia po punon intensivisht për të identifikuar autorët, ndërsa pritet që të shqyrtohen edhe më tej lidhjet e viktimës dhe të plagosurit me grupet kriminale.

Autoritetet greke kanë shtuar kontrollet dhe po hetojnë për çdo pistë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij sulmi të rëndë. Ndërkohë, familjet e viktimës dhe të plagosurit presin përgjigje për atë që ndodhi dhe drejtësi për ngjarjen tragjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera