Rreth 150 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Halit Gremi”, në fshatin Mbrostar Ura të Bashkisë Fier, do ta nisin vitin e ri shkollor në mjedise që, sipas drejtimit të institucionit, nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Drejtori i shkollës, Alfred Sulejmani, thotë se godina ka nevojë për një rikonstruksion të plotë, ndërsa thekson se për ndërhyrjen në infrastrukturën e shkollës është dhënë konfirmimi nga Bashkia Fier dhe strukturat vendore të arsimit.
Sipas tij, punimet pritet të nisin në muajt në vijim, çka do të sjellë edhe zhvendosjen e përkohshme të nxënësve.
E njëjta problematikë, sipas drejtuesit të shkollës, është evidentuar edhe në shkollën vartëse të fshatit Petovë, ku mund të zhvillojnë mësimin nxënësit e Mbrostar Urës gjatë periudhës së rikonstruksionit.
Për këtë arsye, një nga çështjet që kërkon zgjidhje është edhe transporti i nxënësve, i cili, sipas drejtimit të shkollës, duhet të garantohet nga pushteti vendor.
Punimet rikonstruktuese të institucioneve arsimore, sipas drejtorit të shkollës “Halit Gremi”, do të ishte më e përshtatshme të realizoheshin gjatë periudhës së pushimeve verore dhe jo gjatë vitit shkollor.
Sipas tij, ndërhyrjet gjatë zhvillimit të mësimit krijojnë vështirësi si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë se kur do të nisë konkretisht rikonstruksioni i shkollës dhe si do të organizohet procesi mësimor për nxënësit gjatë periudhës së punimeve.
SHKOLLA “HALIT GREMI”ME KUSHTE JASHTË STANDARDEVE NE DITEN E PARE TE VITIT TE RI SHKOLLOR.