Edhe pse shtatori shënon nisjen e vjeshtës, Sarandë vijon të mirëpresë turistë të huaj dhe vendas.
Bukuritë natyrore, klima e favorshme dhe mundësia për të eksploruar Rivierën Shqiptare e mbajnë qytetin një nga destinacionet më të preferuara për pushuesit edhe në këtë periudhë të vitit.
Anijet turistike vijojnë të mbërrijnë në portin e Sarandës, duke sjellë vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme të botës. Për shumë prej tyre, ndalesa në Sarandë është një mundësi për të njohur jo vetëm qytetin, por edhe disa prej destinacioneve më të bukura të bregdetit shqiptar.
Me guida turistike dhe ture të organizuara, vizitorët shëtisin përgjatë rivierës, duke zbuluar plazhet, gjiret dhe peizazhet që e kanë kthyer këtë zonë në një prej pikave më të kërkuara turistike të vendit.
Edhe mbrëmjeve, bulevardi i Sarandës vijon të jetë i mbushur me turistë dhe pushues. Lokalet, restorantet dhe hapësirat përgjatë shëtitores ruajnë gjallërinë karakteristike të sezonit veror.
Ndërsa temperaturat mbeten të larta dhe ditët me diell vazhdojnë, plazhet publike janë ende një alternativë për ata që zgjedhin të shijojnë detin edhe në fillim të vjeshtës.
Saranda duket se po e zgjat sezonin turistik përtej muajve tradicionalë të verës, duke dëshmuar se bregdeti shqiptar mbetet tërheqës për vizitorët edhe në muajin shtator.
Për turistët, vjeshta e hershme në Sarandë duket si një mundësi për të shijuar detin, diellin dhe bukuritë e rivierës, larg fluksit të madh të muajve të pikut të sezonit