Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur me 10% në shtatë muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në korrik u regjistruan 165 aksidente, nga 131 në korrik 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 235, kundrejt 194 një vit më parë.
Në periudhën janar-korrik, në të gjithë vendin u regjistruan 844 aksidente, nga 767 në të njëjtën periudhë të 2025-ës. Të vrarët dhe të plagosurit arritën në 1 mijë e 187 persona, nga 1 mijë e 77 një vit më parë.
Sjellja e drejtuesve të mjeteve mbetet shkaku kryesor. Sipas INSTAT, 90.3% e aksidenteve të korrikut ndodhën për shkak të sjelljes së shoferëve.
Grupmosha 25 deri në 34 vjeç përbën 21.8% të aksidenteve të regjistruara.
Tirana kryeson listën. Në korrik u regjistruan 59 aksidente, nga 37 një vit më parë, ndërsa 74 persona u vranë ose u plagosën.
Në shtatë muaj, kryeqyteti numëroi 336 aksidente, nga 219 në të njëjtën periudhë të 2025-ës.
Sa i përket orarit, pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhi mes 19:00 dhe 24:00, me 25.5% të totalit.
E enjtja ishte dita me më shumë aksidente, me 18.8%, ndërsa e marta shënoi nivelin më të ulët, me 12.1%.
Të dhënat bazohen në informacionet e Policisë së Shtetit dhe përpunohen nga INSTAT, ndërsa shifrat e muajit të fundit janë paraprake dhe mund të rishikohen.
Rritja e aksidenteve vjen pavarësisht ndryshimeve në Kodin Rrugor dhe kontrolleve të shtuara në terren, ndërsa gjendja e rrugëve dhe të ashtuquajturat “pika të zeza” vijojnë të mbeten një tjetër problematikë e sigurisë rrugore.