“Festa e Pishës Kurorë” në Shënpjetër bashkoi kujtesën e Llazi Spiros, homazhin për Enrik Mehmetin dhe muzikën Jazz në një mbrëmje të veçantë kulturore.”
“Festa e Pishës Kurorë” riktheu historinë e Llazi Spiros dhe solli një mbrëmje të veçantë kushtuar kujtesës, traditës dhe muzikës
Nën kurorën e Pishës Kurorë, një prej simboleve të kujtesës së Shënpjetrës, u zhvillua edicioni i tretë i “Festës së Pishës Kurorë”, këtë vit me temën “Jazz nën Pishë”.
E organizuar nga Bashkia Fier, Drejtoria e Artit, Kulturës dhe Turizmit, veprimtaria solli një mbrëmje kulturore ku historia lokale, kujtesa dhe muzika u bashkuan në një hapësirë të lidhur ngushtë me figurën e Llazi Spiro Shënpjetrës.
Patriot, poet, këngëtar dhe luftëtar, Llazi Spiro është një prej figurave të njohura të historisë së Myzeqesë. Në vitin 1912, ai iu bashkua patriotëve shqiptarë në rrugëtimin drejt Vlorës, në ditët e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa në vitin 1920 mori pjesë në Luftën e Vlorës, si komandant i batalionit “Myzeqeja”. Në kujtesën popullore ai mbeti gjithashtu si një prej zërave të këngës myzeqare, i njohur si “Bilbili i Myzeqesë”.
Por historia e tij është e pranishme edhe përmes një dëshmitareje të heshtur: Pishës Kurorë, e cila dikur qëndronte në oborrin e shtëpisë së tij. Shtëpia nuk është më, njerëzit e asaj kohe nuk janë më, por Pisha ka mbetur, duke u kthyer në një simbol që lidh të shkuarën me të tashmen.
Pikërisht mbi këtë kujtesë është ndërtuar edhe “Festa e Pishës Kurorë”, e cila prej tre vitesh synon të rikthejë historinë dhe traditën e kësaj treve në jetën kulturore të komunitetit.
Ky edicion ishte veçanërisht emocional edhe për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të Enrik Mehmetit, pasardhësit të Llazi Spiros dhe një prej njerëzve që punoi për të mbajtur gjallë këtë histori. Një material audio-vizual riktheu momente nga pjesëmarrja e tij në festë, ndërsa kujtimi u shoqërua me tingujt e saksofonit dhe një duartrokitje të gjatë nga të pranishmit.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin të afërm të familjes së Llazi Spiros, artdashës, miq e të afërm të Enrikut, si dhe gazetarë e përfaqësues të medias, të cilët u bënë pjesë e kësaj nate kushtuar kujtesës, historisë dhe muzikës.
“Jazz nën Pishë” solli në Shënpjetër pedagogë dhe instrumentistë të degës së Jazz-it në Universitetin e Arteve, me Gent Rrushin në tastierë dhe si drejtues i grupit, Emiljan Dhimën në bateri, Ermal Rodin në saksofon.
Repertori ndërthuri Jazz-in botëror me përpunime të motiveve të muzikës së Myzeqesë, duke krijuar një dialog mes traditës dhe tingullit bashkëkohor.
Kështu, Pisha që dikur ishte dëshmitare e historisë së Llazi Spiros, u bë sërish dëshmitare e një tjetër forme të vazhdimësisë kulturore.