Ka nisur vjelja e rrushit në njësinë administrative Ballagat, në bashkinë Lushnjë.
Fermerët e zonës kanë nisur mbledhjen e rrushit, i cili do të përdoret për përpunimin e verës dhe rakisë. Në vreshtat e Ballagatit kultivohen kryesisht dy varietete tradicionale, sheshi i zi dhe sheshi i bardhë.
Edhe pse sipërfaqet e mbjella me vreshta janë të kufizuara, disa fermerë vijojnë ta kultivojnë këtë frut, duke ruajtur një traditë të hershme të zonës. Prodhimi i tyre shkon si për tregun vendas, ashtu edhe për përpunim industrial.
Por përtej sezonit të vjeljes, fermerët përballen edhe me një problem të hershëm: mungesën e ujit për vaditjen e tokave.
Zona e Ballagatit është kryesisht kodrinore dhe, para viteve ’90, ishte e bonifikuar dhe e sistemuar me kanale vaditëse e tarraca. Pas viteve ’90, me ndryshimin e strukturës së pronësisë dhe mungesën e mirëmbajtjes, një pjesë e rrjetit të kanalizimeve dhe veprave të bonifikimit është dëmtuar.
Sot, mungesa e ujit mbetet një nga shqetësimet kryesore për banorët dhe fermerët e kësaj zone, duke vështirësuar kultivimin dhe zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore.
Ndërsa vjelja vijon, fermerët shpresojnë për një prodhim të mbarë dhe për më shumë mbështetje në përmirësimin e infrastrukturës vaditëse.