Këshilli Bashkiak i Lushnjës është mbledhur për muajin gusht, ku në rendin e ditës kanë qenë disa çështje të rëndësishme që lidhen me ndihmën ekonomike, investimet, emergjencat civile dhe buxhetin e bashkisë.
Mbledhja u zhvillua në sallën pranë Bashkisë Lushnjë dhe u drejtua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Yrjet Dhima. Në mungesë të kryebashkiakes Eriselda Sefa, në mbledhje ishte e pranishme nënkryetarja e bashkisë, Maldrida Bardho.
Pas verifikimit të kuorumit, këshilltarët miratuan rendin e ditës, i cili përmbante tetë pika. Fillimisht u shqyrtua raporti i Komisionit të Mandateve dhe Rishikimit të Rregullores për deklarimin e mbarimit para kohe të mandatit të anëtares së Këshillit Bashkiak, Albana Haxhiu.
Më pas, këshilltarët diskutuan për miratimin e fondit për familjet në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe fondin për pjesëmarrjen e Bashkisë Lushnjë në edicionin e 141-të të panairit “Fiera di Casalguidi”, në Itali.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe investimi për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Foto Puka”. Këshilltarët kërkuan që investimet në institucionet arsimore të realizohen me standarde bashkëkohore, duke garantuar kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësuesit.
Një tjetër çështje e shqyrtuar ishte përdorimi i fondit të kushtëzuar për emergjencat civile për vitin 2026, ndërsa në rendin e ditës ishte edhe shtesa në transfertën e pakushtëzuar dhe rishpërndarja e fondeve në buxhetin e vitit 2026 dhe PBA-në 2027–2029.
Gjatë mbledhjes nuk munguan debatet mes këshilltarëve të opozitës dhe mazhorancës. Çështjet u diskutuan pikë për pikë dhe më pas kaluan për votim.
Pas diskutimeve, projektvendimet u miratuan, ndërsa investimet në shkolla morën konsensus të gjerë, me kërkesën që punimet të realizohen me cilësi dhe brenda afateve të përcaktuara.
Në fund të mbledhjes, Këshilli Bashkiak i Lushnjës miratoi edhe procesverbalin e mbledhjes së muajit gusht.