MANE Foundation transformon sallën e kimioterapisë në Spitalin Rajonal Vlorë

Një ambient i rinovuar, funksional dhe me kushte bashkëkohore është tashmë në dispozicion të pacientëve onkologjikë në Spitalin Rajonal Vlorë, falë investimit të realizuar me mbështetjen e MANE Foundation.

Ndërhyrja në Klinikën e Kimioterapisë dhe Kujdesit Paliativ ka përfshirë rinovimin e plotë të sallës ku pacientët marrin trajtimin e kimioterapisë, duke krijuar një mjedis më të përshtatshëm, komod dhe dinjitoz gjatë një procesi veçanërisht të vështirë për ta.

Investimi ka përfshirë sistemin elektrik dhe ndriçimin, punimet dekorative, organizimin dhe ndarjen e posteve të trajtimit, si dhe pajisjen e sallës me poltrona të posaçme për kimioterapi. Çdo element është menduar për të përmirësuar kushtet dhe funksionalitetin e hapësirës ku pacientët qëndrojnë gjatë trajtimit.

Në këtë klinikë marrin kimioterapi mesatarisht rreth 10 pacientë në ditë, ndërsa Spitali Rajonal Vlorë u shërben çdo ditë rreth 150–200 pacientëve.

Për pacientët onkologjikë të Vlorës dhe zonave përreth, ofrimi i këtij shërbimi në kushte të përmirësuara pranë vendbanimit të tyre ka një rëndësi të veçantë. Krahas kujdesit mjekësor, ai ndihmon në reduktimin e nevojës për udhëtime të vazhdueshme drejt Tiranës dhe të kostove e vështirësive që këto udhëtime sjellin për pacientët dhe familjet e tyre.

Spitali Rajonal Vlorë është spitali i dytë, pas QSUT-së, ku realizohet një ndërhyrje e tillë në kuadër të angazhimit të MANE Foundation për rinovimin e sallave të kimioterapisë dhe kujdesit paliativ në spitalet rajonale të Shqipërisë.

Përmes kësaj nisme, MANE Foundation vijon kontributin në mbështetje të sektorit shëndetësor, duke investuar në ambiente që ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën dhe mirëqenien e pacientëve.

Rinovimi i sallës së kimioterapisë në Vlorë është më shumë se transformimi i një hapësire spitalore: është një investim që synon t’u ofrojë pacientëve më shumë komoditet, dinjitet dhe kushte më të mira gjatë rrugëtimit të tyre të trajtimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033