Një 32-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në ambientet e dhomave të paraburgimit të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Bëhet fjalë për Enea Shparthin, banues në Vlorë, i cili ishte arrestuar në flagrancë mbrëmjen e 29 gushtit nga efektivët e Komisariatit të Vlorës, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhja”
Në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar humbjen e jetës. Paraprakisht dyshohet se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.
Enea Shparthi ndodhej në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Vlorës, pasi ishte arrestuar në flagrancë dhe, sipas procedurës, pritej që brenda afatit ligjor prej 72 orësh të dilte përpara Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.