PAMJE TË TRISHTA NGA LANA NË TIRANË.

Pamje të trishta vijnë nga lumi Lana në Tiranë, ku brigjet e tij, në disa segmente, janë kthyer në një landfill të improvizuar.

Qytetarë të pandërgjegjshëm, që banojnë përgjatë lumit, vijojnë të hedhin mbetje nga më të ndryshmet, duke ndotur rëndë zonën.

Bidona plastikë, mbetje orendish shtëpiake, goma automjetesh, qese dhe mbeturina të tjera janë shpërndarë përgjatë dy anëve të Lanës, duke krijuar pika grumbullimi të mbetjeve në një nga zonat urbane të kryeqytetit.

Me rritjen e temperaturave, situata bëhet edhe më shqetësuese. Mbetjet e lëna në ambient të hapur favorizojnë erërat e rënda dhe krijojnë kushte jo të përshtatshme higjieno-sanitare, duke përbërë një shqetësim për banorët e zonës dhe mjedisin.

Institucionet kanë ndërhyrë në raste të ndryshme për pastrimin e këtyre hapësirave, por duket se problemi rikthehet sërish.

Shkak mbetet mungesa e ndërgjegjësimit qytetar, pasi mbeturinat vijojnë të hidhen në mënyrë të pakontrolluar, pavarësisht pastrimeve të kryera.

Lumi Lana është një nga hapësirat më të rëndësishme urbane të Tiranës, por ndotja e vazhdueshme përgjatë brigjeve të tij tregon se pastrimi nuk mjafton.

Pa përgjegjshmëri qytetare dhe respekt për mjedisin, këto zona rrezikojnë të kthehen vazhdimisht në pika grumbullimi mbetjesh.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033