Konfirmohet rasti i parë i Etheve të Nilit në Shqipëri. I prekuri është një 72 vjeçar nga Korça, i cili ndodhet aktualisht në karantinim në spitalin rajonal.
Sipas burimeve, mësohet se 72 vjeçari dyshohet se është pickuar nga mushkonja në lulishte, ku kalon një pjesë të madhe të kohës. I moshuari ka shkuar për të marrë mjekim në spital, ndërsa pas analizave, ka rezultuar se është prekur nga Ethet e Nilit.
Deri më tani është rasti i vetëm pasi janë bërë analiza të tjera tek të afërm të tij, por të gjithë kanë rezultuar negativë. Mësohet gjithashtu se ditën e nesërme do të bëhet dezinfektimi i zonës ku ka qëndruar i moshuari.
Kjo sëmundje përhapet nga pickimi i mushkonjës dhe simptomat tek të prekurit nisin me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe të vjella, por prek trurin dhe mund të jetë vdekjeprurëse.