Prodhimi i frutave mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare. Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se bashkitë e vendit kanë diferenca të dukshme në prodhimin e llojeve të ndryshme të frutave.
Korça vijon të mbajë rekordin për prodhimin e mollëve, me rreth 17 mijë e 700 tonë. Pas saj renditet Maliqi me rreth 17 mijë e 200 tonë, ndërsa në vendin e tretë është Devolli, me afro 13 mijë tonë. Në disa bashki të tjera, si Libohova, Dropulli dhe Saranda, prodhimi i mollëve është shumë më i ulët.
Në prodhimin e kumbullave kryeson Elbasani, me 2 mijë e 513 tonë. Pas tij vijnë Pogradeci me 1 mijë e 546 tonë dhe Kruja me 1 mijë e 512 tonë. Prodhime të konsiderueshme raportohen edhe në Fier, Lushnjë dhe Cërrik.
Elbasani kryeson edhe për qershitë, me 2 mijë e 868 tonë. Pogradeci renditet i dyti me 1 mijë e 504 tonë, ndërsa Berati i treti me 1 mijë e 101 tonë.
Sa u përket fiqve, Berati është lider i padiskutueshëm, me 5 mijë e 438 tonë të prodhuara gjatë vitit 2025. Pas tij renditet Shkodra me 1 mijë e 708 tonë, Elbasani me 1 mijë e 346 tonë dhe Fieri me 1 mijë e 146 tonë.
Ndërsa për nektarinat dhe pjeshkët, kryeson Lushnja me 4 mijë e 725 tonë. Pas saj janë Peqini me 2 mijë e 756 tonë, Fieri me 2 mijë e 717 tonë dhe Elbasani me 2 mijë e 354 tonë.
Shifrat tregojnë se Shqipëria ka zona të dalluara për prodhimin e çdo lloj fruti, nga mollët e Korçës, te qershitë dhe kumbullat e Elbasanit, fiqtë e Beratit dhe pjeshkët e nektarinat e Lushnjës.