Pas një kronike shqetësuese të transmetuar nga TV Apollon për situatën me mbeturinat në fshatin Kashbardhe Lushnjë, Njësia Administrative Karbunarë e Vogël ka reaguar menjëherë për pastrimin e zonës.
Bëhet fjalë për aksin rrugor në dalje të fshatit, ku një hapësirë prej rreth 40 metrash ishte mbushur me mbetje të ndryshme, mes tyre plastikë, shishe, bidona, kanaçe dhe materiale të tjera, të cilat ishin shpërndarë në të dy anët e rrugës.
Pamjet e transmetuara nga TV Apollon sollën në vëmendje shqetësimin e banorëve dhe të qytetarëve që përdorin këtë aks rrugor.
Reagimi i Njësisë Administrative Karbunarë e Vogël ka qenë i menjëhershëm. Punonjësit e pastrimit kanë ndërhyrë në terren, duke grumbulluar mbetjet dhe duke sistemuar të gjithë hapësirën.
Sot, ky segment rrugor paraqitet i pastruar, ndërsa drejtuesja e Njësisë Administrative, Nexhmije Arapi, u bën apel banorëve që mbetjet t’i depozitojnë në kontenierët e vendosur pranë zonës dhe jo t’i hedhin në hapësirat publike.
Mesazhi është i qartë: pastërtia e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët.
Në një bashkëbisedim telefonik, drejtuesja e Njësisë Administrative Karbunarë e Vogël falënderoi TV Apollon për evidentimin e problematikës, duke e konsideruar median si një partner bashkëpunues në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve.
Reagimi i menjëhershëm i strukturave vendore tregon se problematikat e evidentuara përmes medias mund të shërbejnë si një urë komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve.
Një ndërhyrje konkrete, pas një shqetësimi të bërë publik, që rikthen pastërtinë në një nga akset e frekuentuara të zonës.