Zjarr në vendgrumbullimin e mbetjeve në Jeta e Re, rrezikohet plantacioni me ullinj.

Një zjarr ka përfshirë gjatë natës vendgrumbullimin e mbetjeve në dalje të fshatit Jeta e Re, i njohur edhe si Çiflik, në njësinë administrative Fier-Shegan, Bashkia Lushnjë.

Sipas banorëve, zjarri ka nisur në orët e natës, duke shkaktuar alarm për shkak të flakëve dhe tymit të dendur. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur shërbimi zjarrfikës, i cili ka ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe ka bërë të mundur vënien nën kontroll të situatës.

Rreziku ka qenë i shtuar pasi në afërsi të vendgrumbullimit të mbetjeve ndodhet një plantacion me ullinj, pronë e banorëve të zonës. Përhapja e flakëve drejt pemëve mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme.

Këto pamje janë marrë gjatë ditës së sotme. Edhe pse zjarri është shuar, nga vendgrumbullimi vijon të dalë tym për shkak të djegies së mbetjeve.

Ndërkohë, pas ngjarjes, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e zjarrit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale apo nëse zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut.

Banorët kërkojnë ndërhyrje dhe monitorim të vazhdueshëm të zonës, pasi djegia e mbetjeve pranë sipërfaqeve të mbjella me ullinj mbetet një rrezik serioz për pronat dhe mjedisin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033