PROTESTAT APO PRISHJA E EKUILIBRIT, ÇFARË PO E PENGON TURIZMIN.
Turizmi shqiptar po përballet me një pyetje të re: a po e pengojnë protestat fluksin e turistëve? Por, përtej protestave, motit dhe çmimeve, sfida kryesore duket më e thellë: mungesa e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi.
Që prej vitit 2022, turizmi është kthyer në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuojnë rreth 5.5% të PBB-së, nga vetëm 2% në vitin 2015. Ndikimi shtrihet edhe te transporti, tregtia, ndërtimi, shërbimet dhe qiratë ditore.
Fillimi i 2026-ës ishte i dobët për hyrjet e të huajve, i ndikuar edhe nga moti. Marsi dhe maji sollën përmirësim, ndërsa maji shënoi rritje rreth 16%.
Në qershor, megjithatë, ritmi ra ndjeshëm, me vetëm 1.3% rritje vjetore. Pasiguria dhe pamjet e protestave mund të kenë ndikuar një pjesë të turistëve, por të dhënat e muajve në vijim do të tregojnë nëse efekti është real dhe i qëndrueshëm.
Krahasimi me rajonin është domethënës. Në Serbi, nga fillimi i vitit deri në fund të majit 2026, u regjistruan 1.7 milionë mbërritje dhe 4.8 milionë net-qëndrime, me rritje përkatësisht 7.9% dhe 5.7% ndaj të njëjtës periudhë të 2025-ës.
Ndërkohë, Shqipëria përballet me një tjetër pengesë: infrastrukturën. Veriu dhe rajoni qendror mbajnë rreth 63% të vizitorëve në strukturat akomoduese, por trafiku dhe rrugët e mbingarkuara po kthehen në kosto për turistët dhe bizneset.
Dikur Shqipëria shitej si një “hidden gem”, me natyrë të paprekur dhe çmime të ulëta. Sot, turistët përballen gjithnjë e më shumë me beton, kantiere, mbetje dhe trafik.
Edhe qeveria u detyrua të ndalojë punimet gjatë verës.
Problemi nuk janë vetëm çmimet. Çmimet mund të rriten, nëse rritet edhe cilësia. Rreziku është tjetër: kapacitetet turistike mund të shtohen më shpejt se kërkesa, ndërsa Shqipëria të humbasë pikërisht atë natyrë që e bëri tërheqëse.
Prandaj, sfida nuk është vetëm të sjellim më shumë turistë, por të ruajmë ekuilibrin mes ndërtimit, infrastrukturës, natyrës dhe cilësisë së shërbimit.