Ujërat e zeza mbeten një shqetësim real për Durrësin

Ujërat e zeza vijojnë të jenë një shqetësim real për qytetin e Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Problematikat shfaqen jo vetëm në zona të ndryshme të qytetit, por edhe në sistemin e kanalizimeve dhe përgjatë vijës bregdetare.

Një nga zonat që ka ngritur shqetësime së fundmi është Gjiri i Lalëzit. Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Gjirin e Lalëzit është në funksion të plotë 24 orë në 7 ditë. Sipas institucionit, ujërat e ndotura trajtohen në impiant dhe, pas procesit të trajtimit, shkarkohen sipas parametrave të përcaktuar në Përroin e Tarinit.

Por, pavarësisht ekzistencës së impiantit, problematikat e përsëritura në terren ngrenë pikëpyetje mbi menaxhimin dhe funksionimin e sistemit, veçanërisht në ditët me ngarkesë të lartë turistike.

Në një qytet bregdetar si Durrësi, menaxhimi i ujërave të zeza është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin publik, mjedisin dhe imazhin turistik të qytetit. Institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të shpejtë sa herë që shfaqen problematika.

Sepse edhe nëse impianti ekziston dhe funksionon, shqetësimi kryesor mbetet menaxhimi efektiv i situatave problematike në terren.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033