Kriza e pensioneve: Shqipëria me zëvendësimin më të ulët në Europë
Sistemi i pensioneve në Shqipëri po përballet me një krizë të thelluar. Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, raporti i zëvendësimit ka rënë nga 0.43 në vitin 2019, në vetëm 0.30 në vitin 2023.
Kjo do të thotë se pensioni mesatar bruto përfaqëson sot vetëm 30% të pagës mesatare të grupmoshës aktive 50 deri në 59 vjeç.
Shqipëria renditet kështu në nivelin më të ulët europian. Për krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian luhatet rreth 0.57 deri në 0.60. Në rajon, Serbia regjistron 0.48, ndërsa vende si Greqia, Italia dhe Spanja arrijnë në 0.75 deri në 0.78.
Rënia e këtij treguesi lidhet me disa faktorë. Informaliteti në tregun e punës dhe deklarimi i pagave nën nivelin real kanë ulur kontributet dhe, për pasojë, edhe pensionet.
Një tjetër problem është formula e indeksimit, e cila bazohet kryesisht te inflacioni dhe jo te rritja e pagave. Kështu, ndërsa pagat janë rritur, pensionet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.
Presion shtesë krijojnë emigracioni i të rinjve dhe plakja e popullsisë, duke rënduar raportin mes kontribuuesve dhe pensionistëve.
Ndërkohë, rritjet simbolike të pensioneve nuk kanë arritur të kompensojnë hendekun me pagat dhe rritjen e kostos së jetesës.
Edhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve mbetet i kufizuar, duke e lënë barrën kryesore mbi skemën publike.
Shifrat janë një sinjal i fortë alarmi: me një pension që zëvendëson vetëm 30% të pagës, siguria ekonomike e të moshuarve po bëhet gjithnjë e më e brishtë.