Vaditja e pemëve dhe gjelbërimit, prioritet në Lushnje gjatë temperaturave të larta.
Këto pamje i përkasin parkut kryesor të qytetit të Lushnjës, ku pemët dhe gjelbërimi luajnë një rol të rëndësishëm në freskinë e qytetit dhe në lëvizjen e këmbësorëve gjatë ditëve të nxehta të gushtit.
Temperaturat e larta të verës kërkojnë kujdes të shtuar për pemët e reja të mbjella vitet e fundit, por edhe për sipërfaqet e gjelbra dhe barin dekorativ në park.
Prej ditësh, Drejtoria e Pasurisë Publike, përmes sektorit të gjelbërimit, ka nisur vaditjen e rregullt të pemëve të reja. Çdo mëngjes dhe mbrëmje, pemët vaditen me autobot, në mënyrë që të përballojnë temperaturat e larta dhe të ruajnë gjelbërimin.
Vëmendje i kushtohet edhe barit në parkun e qytetit, një hapësirë e frekuentuar çdo ditë nga qytetarët dhe fëmijët, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
Megjithatë, disa pemë nuk kanë mundur t’i rezistojnë temperaturave të larta, pavarësisht ndërhyrjeve për vaditje. Zëvendësimi i tyre pritet të bëhet gjatë sezonit të dimrit.
Në Myzeqe, temperaturat e larta janë një sfidë e përsëritur çdo verë, ndërsa kujdesi për pemët dhe gjelbërimin mbetet një nga prioritetet e institucioneve të Bashkisë Lushnje.