Një konflikt familjar në fshatin Majtarë të Dibrës ka përfunduar me një person të arrestuar, një tjetër të shpallur në kërkim dhe tre persona të proceduar penalisht. Pas njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër ndërhynë në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Në pranga u vu 34-vjeçari me inicialet D. E., i dyshuar se ka dhunuar kunatën e tij, 40-vjeçaren F. E. Ndërkohë, djali i 40-vjeçares, 19-vjeçari F. E., është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, gjatë konfliktit ai ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij. Vijojnë kontrollet për kapjen e të riut dhe gjetjen e armës së përdorur.
Në gjendje të lirë po procedohen edhe tre persona të tjerë. 40-vjeçarja F. E. dhe 25-vjeçarja A. E. dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj njëra-tjetrës, ndërsa 38-vjeçari E. E. dyshohet se ka tentuar të fshehë prova në vendngjarje.