Mbi 3 mijë aplikime për kompensimin 10% të TVSH-së, 8.3 milionë euro në dispozicion.
Mbi 3 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar kompensimin 10% të TVSH-së, që prej hapjes së aplikimeve më 1 korrik.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, deri më 10 gusht janë dorëzuar online 3,366 aplikime në platformën e-Filing. Prej tyre, 1,120 aplikime janë miratuar, ndërsa 2,138 janë ende në proces shqyrtimi.
Në total, fondi i kompensimit arrin në 8.3 milionë euro, ndërsa skema përfshin autofaturat e lëshuara nga përpunuesit ose grumbulluesit për periudhën janar-qershor.
Për të përfituar, fermerët duhet të jenë të pajisur me NIPT dhe në platformën e-Filing të identifikojnë autofaturat për produktet e dorëzuara.
Pas identifikimit të tyre, sistemi llogarit automatikisht vlerën totale të autofaturave dhe shumën e kompensimit prej 10% të TVSH-së.
Përpunuesit sqarojnë se, për t’u përfshirë në skemë, fermeri duhet të ketë NIPT, ndërsa produktet e dorëzuara për shitje duhet të plotësojnë standardet e kërkuara.
Aplikimet vijojnë online përmes sistemit e-Filing, ndërsa Administrata Tatimore po shqyrton kërkesat e paraqitura nga fermerët.