Prej tre dekadash pa sistem vaditjeje, Darsia kërkonë investime për të shpëtuar bujqësinë.
Lushnja njihet si zemra e bujqësisë shqiptare dhe shtrihet në fushat pjellore të Myzeqesë. Por përtej fushës, një nga zonat me traditën më të hershme në bujqësi është edhe Darsia, një krahinë kodrinore ku prej brezash fermerët janë dalluar për kultivimin e perimeve në sera, pemëtoret dhe prodhimet bujqësore cilësore.
Para viteve ’90, kjo zonë ishte plotësisht e bonifikuar. Një rrjet i tërë kanalesh vaditëse, rezervuarësh dhe pompash me presion të lartë siguronte ujë për mijëra hektarë tokë bujqësore. Sistemi i vaditjes funksiononte rregullisht, duke bërë të mundur që çdo parcelë të mbillej dhe të prodhonte gjatë gjithë sezonit.
Sot, pas më shumë se tre dekadash, realiteti është krejt ndryshe.
Kanale nuk egzistojnë me, rezervuarë jashtë funksionit dhe pompa të ndertuara në ato vite të shkatërruara janë panorama që shoqëron prej vitesh fermerët e Darsisë.
Mungesa e investimeve në sistemin vaditës ka bërë që shumë toka të mos kultivohen më si dikur, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre është kthyer në plantacione ullinjsh, një kulturë që kërkon më pak ujë gjatë stinës së verës.
Megjithatë, fermerët nuk janë dorëzuar. Me mundësitë e tyre, ata kanë hapur puse, kanë instaluar pompa mekanike dhe kanë ndërtuar sisteme individuale vaditjeje për të mbajtur në prodhim serat, pemishtet dhe ullishtet. Janë investime të bëra me forcat e tyre, vetëm që toka të mos mbetet djerrë.
Banorët e zonës thonë se prej më shumë se 30 vitesh nuk është realizuar asnjë investim madhor për rikthimin e sistemit të vaditjes. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse ta rikthejnë vëmendjen te kjo zonë me potencial të madh bujqësor, ku natyra ka falur tokë pjellore, klimë të favorshme dhe njerëz punëtorë.
Darsia mbetet një nga zonat me traditën më të spikatur bujqësore në Lushnjë. Por pa ujë, pa investime dhe pa një sistem funksional vaditjeje, zhvillimi i saj vazhdon të mbetet një sfidë. Fermerët shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet, në mënyrë që kjo krahinë të rikthehet në potencialin që kishte dikur dhe të vazhdojë të mbetet simbol i bujqësisë në Myzeqe.