Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka akuzuar qeverinë për mënyrën se si është zhvilluar projekti i Portit të Durrësit, duke kërkuar hetim të plotë nga SPAK dhe publikimin e kontratës me investitorin Mohamed Alabbar. Në një deklaratë për mediat, Kedhi tha se pranimi i vetë investitorit se projekti është ndërtuar “me nxitim” ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësitë dhe pasojat për shtetin shqiptar.
Sipas Kedhit, projekti i Portit të Durrësit u miratua pa tender, pa garë dhe pa dëgjesë publike, ndërsa një aset strategjik kombëtar u vu në funksion të një projekti privat. Ai ngriti shqetësimin se Shqipëria ka mbetur pa portin e saj kryesor tregtar, ndërsa Porto Romano ende nuk është funksional, duke e cilësuar situatën një rrezik ekonomik dhe për sigurinë kombëtare.
Nënkryetari i PD-së deklaroi se qeveria premtoi miliarda euro investime, mijëra vende pune dhe një projekt që “edhe Monako do ta kishte zili”, por sipas tij realiteti është krejt ndryshe. Ai pretendoi se godinat e para po shfaqin probleme strukturore dhe se modeli financiar i projektit mbështetet në pagesat e qytetarëve që kanë blerë apartamente ende në ndërtim.