Fermerët e Salçë-Kozarës mbajnë gjallë prodhimin bujqësor, por kërkojnë më shumë mbështetje

Fermerët e Salçë-Kozarës mbajnë gjallë prodhimin bujqësor, por kërkojnë më shumë mbështetje

Fshati Salçë-Kozarë, në Bashkinë Kuçovë, vijon të mbetet një nga zonat më të njohura për prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Fermerët e kësaj zone punojnë çdo ditë në fusha dhe sera të mbuluara me plastmas, duke siguruar prodhime të freskëta si për tregun vendas, ashtu edhe për eksport.

Një prej tyre është 55-vjeçari Mikela Rrogozi, i cili prej 23 vitesh merret me bujqësi. Ai ka ndërtuar një aktivitet të konsoliduar, duke kultivuar rreth 18 dynym sera, një pjesë e të cilave janë ngritur edhe në toka të marra me qira. Aktualisht, ai prodhon domate për eksport, ndërsa në një pjesë të serave ka mbjellë kastravec të dorës së dytë, që pritet të dalë së shpejti në treg.

Sot, domatja grumbullohet në pikat e grumbullimit me një çmim nga 40 deri në 50 lekë për kilogram. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, mungesa e çmimit detyroi shumë fermerë të hidhnin prodhimin në kanale, pasi nuk arrinin ta shisnin.

Shqetësimi kryesor i fermerëve mbetet çmimi i ulët i blerjes. Ata shprehen se pjesa më e madhe e fitimit mbetet te grumbulluesit dhe tregtarët, ndërsa prodhuesi, që përballon gjithë kostot e punës, përfiton shumë pak.

Një tjetër sfidë është mungesa e fuqisë punëtore. Mirëmbajtja e 18 dynymëve me sera kërkon punonjës të shumtë dhe kosto të larta financiare. Fermerët kërkojnë që institucionet të jenë më pranë tyre, me politika mbështetëse dhe masa konkrete për zhvillimin e sektorit.

Pavarësisht vështirësive, bujqësia mbetet burimi kryesor i jetesës për qindra familje në këtë zonë dhe një sektor me rëndësi për furnizimin e tregut vendas dhe rritjen e eksporteve shqiptare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033