Flakët përfshijnë Malin e Vinës në Gramsh

Një vatër zjarri ka përfshirë dje Malin e Vinës në Bashkinë e Gramshit, duke vënë në provë strukturat e emergjencës për shkak të terrenit tepër të vështirë dhe distancës së madhe nga rrugët ku mund të depërtojnë automjetet zjarrfikëse.

Sipas autoriteteve vendore, zjarri ra gjatë ditës së shtunë, 1 gusht 2026, në një zonë malore ku ndërhyrja me mjete ishte praktikisht e pamundur. Për pasojë, efektivët e shërbimit zjarrfikës u detyruan të përshkonin në këmbë rreth dy orë për të mbërritur pranë vatrës së zjarrit dhe për të nisur operacionin e shuarjes.

Pavarësisht kushteve të vështira, reagimi i menjëhershëm i forcave operacionale bëri të mundur izolimin e plotë të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.

Në operacion morën pjesë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të mbështetur nga punonjësit e Shërbimit Pyjor dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët bashkëpunuan për të vënë situatën nën kontroll në një nga zonat më të vështira për ndërhyrje.

Ndërhyrja e shpejtë shmangu një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, kur zjarret në këtë zonë shkaktuan dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe kërkuan angazhim të madh të forcave të emergjencës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033