Një re e dendur tymi të zi ka mbuluar të gjithë zonën e Shkozetit si pasojë e një zjarri masiv, duke vështirësuar dukshmërinë dhe qarkullimin.
Mësohet se nga flakët janë përfshirë një magazinë fishekzjarresh dhe oxhaqesh.
Për shkak të rrezikut, qarkullimi i automjeteve në unazën e Shkozetit është bllokuar, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këtë segment rrugor.
Në vendngjarje po operojnë gjashtë mjete zjarrfikëse, të angazhuara nga Durrësi, Porti i Durrësit dhe Shijaku, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Pavarësisht ndërhyrjes, situata mbetet e vështirë dhe zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe policia ku në njoftim deklarohet se është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.
Për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Shkozetit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, deri në normalizimin e situatës.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera përgjegjëse, ndodhen në terren dhe po punojnë për menaxhimin e situatës, shuarjen e zjarrit, garantimin e sigurisë dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.