Punimet për rikonstruksionin e segmentit rrugor në lagjen e komunitetit rom në qytetin e Fierit kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Punonjësit që po zbatojnë projektin deklaruan për TV “Apollon” se ritmi i punimeve është i kënaqshëm dhe se objekti pritet të përfundojë përpara afatit 4-mujor të parashikuar në kontratë.
Sipas projektit, segmenti rrugor po rikonstruktohet sipas standardeve bashkëkohore të infrastrukturës urbane. Punimet përfshijnë ndërtimin e trotuareve për këmbësorët, shtrimin e asfaltit, sistemimin e kanalizimeve kulluese, ndërtimin e mureve mbajtëse në pjesët ku është e nevojshme, si edhe vendosjen e ndriçimit publik dhe gjelbërimin e zonës.
Sinkron – Punonjësit e firmës zbatuese
Vlera e investimit është rreth 36.7 milionë lekë pa TVSH, financuar nga të ardhurat e buxhetit vendor të Bashkisë Fier.
Banorët dhe punonjësit shprehen se, pas përfundimit të punimeve, kjo rrugë do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe cilësinë e jetës së komunitetit, pasi lidh lagjen e komunitetit rom me rrugën kombëtare Fier–Vlorë, me qendrën e qytetit të Fierit, tregjet, shkollat dhe institucionet shëndetësore. Rikonstruksioni i saj pritet të lehtësojë lëvizjen e përditshme dhe të rrisë sigurinë për banorët dhe përdoruesit e kësaj rruge.
Punimet për rikonstruksionin e segmentit rrugor në lagjen e komunitetit rom në qytetin e Fierit kanë hyrë në fazën përfundimtare.