Procesi i aplikimit për kompensimin 10% të TVSH-së për fermerët po vijon, ndërsa deri më tani kanë aplikuar 2,397 fermerë për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se procesi, i cili ka nisur më 1 korrik 2026, do të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor. Sipas tij, fermerët pritet të përfitojnë në total deri në 13.5 milionë euro kompensim.
“Këto janë disa nga treguesit e efekteve të politikës së re tatimore për vitin 2026 për kompensimin në masën 10% të TVSH-së. Procesi ka nisur nga data 1 korrik 2026. Subjektet grumbulluese dhe përpunuese duhet të vijojnë të lëshojnë autofatura për fermerët. Procesi përfundon në dhjetor të vitit 2026. Shuma potenciale për t’u kompensuar arrin në 13.5 milionë euro.”
Ministri Malaj u bëri thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese të respektojnë detyrimin për lëshimin e autofaturave, pasi ato janë kusht për përfitimin e kompensimit nga fermerët.
Skema e re synon të mbështesë prodhuesit bujqësorë, të formalizojë transaksionet në sektor dhe të rrisë transparencën në tregtimin e produkteve bujqësore. Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve që të aplikojnë brenda afatit, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi prej 10% i TVSH-së për shitjet e produkteve të tyre.