Turizmi në Shqipëri ka shfaqur shenjat e para të ngadalësimit në kulmin e sezonit veror. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit qershor në vend hynë 1 milion e 346 mijë e 279 shtetas të huaj, vetëm 17 mijë e 75 më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, rritja ishte vetëm 1.3 për qind, shumë më e ulët se zgjerimi prej 15.9 për qind i regjistruar në muajin maj.
Në total, gjatë qershorit hynë në territorin shqiptar 2 milionë e 81 mijë e 649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 0.9 për qind më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 735 mijë e 370 ishin shtetas shqiptarë, me një rritje prej 0.2 për qind, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1 milion e 346 mijë e 279.
Megjithatë, bilanci i gjashtëmujorit mbetet pozitiv. Nga janari deri në qershor 2026, Shqipëria priti 5 milionë e 59 mijë e 69 shtetas të huaj, rreth 297 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 6.25 për qind.
Sipas Ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja, frenimi i ritmit lidhet me rënien e vizitorëve nga disa tregje kryesore. Vetëm nga Kosova u regjistruan 51 mijë e 190 hyrje më pak se një vit më parë. Rënie pati edhe nga Maqedonia e Veriut me 15 mijë e 223 vizitorë më pak, Gjermania me 13 mijë e 165, Turqia me 11 mijë e 62 dhe Mali i Zi me 6 mijë e 212 më pak. Në total, këto pesë tregje sollën 96 mijë e 852 turistë më pak, ose rreth 13 për qind më pak krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Ministri e lidhi këtë zhvillim me ndikimin që, sipas tij, kanë pasur protestat e nisura në fund të muajit maj në perceptimin për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Ai tha se operatorë turistikë, hotelierë dhe agjenci udhëtimi kanë sinjalizuar ngadalësim të rezervimeve, anulime dhe hezitim nga disa tregje të huaja.
Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna që ta konfirmojnë protestën si shkakun kryesor të këtij ngadalësimi. Përveç shqetësimeve të ngritura nga tregu gjerman, protestat nuk janë reflektuar gjerësisht në forumet apo platformat ndërkombëtare të turizmit si faktor që ka ndikuar në vendimmarrjen e turistëve.
Ndërkohë, rritja e vizitorëve nga tregje të tjera ka kompensuar pjesërisht rënien, duke bërë që bilanci i përgjithshëm i turizmit të mbetet pozitiv, edhe pse me ritme dukshëm më të ulëta se në muajt e mëparshëm.