Plagoset me thikë 71-vjeçari në Lushnjë, arrestohet kushëriri i tij.

Një konflikt mes dy kushërinjve ka përfunduar me plagosjen e rëndë të një 71-vjeçari në Lushnjë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Loni Dhamo”, ku, sipas Policisë, pas një konflikti për motive të dobëta, një 60-vjeçar ka goditur me thikë kushëririn e tij.

I plagosuri, Fazlli Ymeri, 71 vjeç, ka marrë dëmtime të rënda dhe fillimisht është transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetën.

Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, Izet Ymeri, 60 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi edhe mjetin prerës, thikën që dyshohet se u përdor në plagosje.

Ndaj 60-vjeçarit rëndon akuza e “Plagosjes së rëndë me dashje”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033