Babai i të plagosurit: Nuk do ta çoj më djalin në shkollë, nuk ka siguri, teksa djali rrëfen se si ka nisur sherri

Pas incidentit të rëndë në oborrin e shkollës së mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran, Fier, babai i 17-vjeçarit të plagosur me thikë Ydai Xhafaj, zoti Vasil Xhafaj ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e tij për mungesën e sigurisë në shkolla.

Në një deklaratë për mediat, ai ka bërë të ditur se pas kësaj ngjarjeje nuk do ta dërgojë më djalin e tij në shkollë.

“Jam nisur së bashku me çunin nga shtëpia rreth orës 8. Unë për në punë, ai për në shkollë. Pa arritur ende në punë, më telefonoi mësuesja dhe më njoftoi se djali ishte goditur. U nisa urgjentisht drejt urgjencës së Cakranit, por atje mbeta i tronditur. Asgjë nuk kuptova për atë që kishte ndodhur, më shumë dini ju se unë,” u shpreh babai.

Ngjarja ka lënë një shenjë të rëndë në familjen e të riut, ndërsa babai ka bërë thirrje për drejtësi dhe ndërhyrje të institucioneve shtetërore. “Dua drejtësi në vend! I kërkoj Edi Ramës të mos merret vetëm me problemet në Tiranë, por edhe këtu në Cakran. Sot është djali im, nesër mund të jetë një tjetër,” theksoi ai.

Kronika

Babai ka shprehur shqetësim të thellë për nivelin e sigurisë jo vetëm në shkollën e fshatit Cakran, por edhe në qytetin e Fierit. “Nuk ka më siguri, jo vetëm këtu, por edhe në Fier. Nuk do e çoj më në shkollë. S’mund të rrezikoj jetën e tij,” tha ai i revoltuar.

Ndërkohë 17 vjeçari Ydai Xhafaj tregoi se si ka nisur sherri.

Incidenti ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi masat e sigurisë në institucionet arsimore dhe përgjegjësinë e drejtuesve të shkollave për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit. Kjo situatë ka sjellë edhe reagime nga prindërit e tjerë, të cilët kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet për të parandaluar incidente të ngjashme.

Ndërkohë, hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet kanë marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë dhe dëshmitarët. Policia ka sekuestruar mjetin prerës dhe ka shoqëruar të dyshuarin për veprime të mëtejshme ligjore.

Ngjarja në Cakran është një tjetër alarm për institucionet që të adresojnë mungesën e sigurisë në shkolla, një problem i përsëritur që rrezikon të kthehet në një krizë kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera